Është kisha më e vjetër dhe më e madhe që ruhet në Vithkuq, e ndërtuar në vitin 1728. përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati.
Naosi është i tipit bazilikal, trenefësh me përmasa të brendshme 15.5 x 9.5 m. Dy rradhë kolonash ndajnë nefet nga njëri – tjetri, nga të cilët nefi qëndror është më i gjerë dhe më i lartë nga dy anësorët. Kolonat lidhen ndërmjet tyre dhe me muret perimetrale me një sistem harqesh në të dy drejtimet. Në nefet anësore, ky sistem harqesh ka krijuar bërthama katrore, të cilat mbulohen me kupola, ndërsa në nefin qëndror shërben si brinjë rigjiditeti (qëndrueshmërie) të qemerit cilindrik që e mbulon atë gjatë gjithë gjatësisë së tij. Nefet gjatësore ndërpriten nga një nef tërthor, duke krijuar në pjesën qëndrore një bërthamë të mbuluar me kupolë, e cila e fuqizon në mënyrë të ndjeshme me hapësirën e brendshme. Megjithatë, kjo strukturë e larmishme qemeresh, kupolash e harqesh nuk shfaqet në pamjen e jashtme, por është e fshehur nga catia e gjerë dyujëshe.
Në anën lindore del jashtë apsida, e cila është trajtuar me një varg pilastrash në qoshet e muraturës, të lidhura me harqe të shkallëzuara në formë fund lundre, dhe përfundon me një kornizë me gurë të gdhendur. Motivi i harkut fund – lundre takohet dhe në mbulesat e dritareve të hapura në murin lindor. Muratura e kishës është e rregullt, e ndërtuar me blloqe të punuara guri shmërc.
Narteksi është shtuar më vonë në anën perëndimore. Ai ndryshon nga naosi qoftë nga teknika e ndërtimit, qofte nga konceptimi i hapësirës së brendshme. Brenda narteksit ka një rradhë kolonash guri dhe tjetrën prej druri, dhe mbulohet nga catia prej druri, pa tavan. Gjatë gjithë anës jugore të kishës zhvillohet hajati i hapur me një harkadë mbi kolona të holla guri. Është i mbuluar nga zgjatimi i flegrës së catisë së naosit, gjë që e rrit akoma më tepër shtrirjen e saj. Megjithatë, harkada e lehtë dhe elegante e hajatit në pamjen jugore, e zbut përshtypjen e peshës dhe të masivitetit të flegrës tepër të gjerë të catisë, të mbuluar me rrasa guri.
Përpara kishës, në anën jugore, hapet një shesh i gjerë, i rrethuar me mure, ndërsa nga ana veriore ndodhen varrezat e vjetra të fshatit.
Sipas mbishkrimit mbi portën jugore të kishës:
Kisha ka filluar të ndërtohet në vitin 1682 dhe është pikturuar nga Mihaili dhe Gabrieli, me shpenzimet e të krishterëve që jetonin në Vithkuq dhe me kontributin e prift Stavrit, ikonom dhe epitrop, të episkopimit të gjithëshenjtë, Mitropolitit të Kosturit Zotit Krisanth dhe të priftërinjve të tjerë, në 1 tetor 1728.